TIRANE- Kreu i delegacionit të Komisionit Europian bën thirrje për gjetjen e një marrëveshjeje mes dy liderëve të partive politike, Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama për hir të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Helmut Lohan paralajmëron se nëse nuk do të ketë një zgjidhje të krizës politike në tryzën e thirrur nga presidenti Topi, e cila do të bënte që Parlamenti të funksiononte normalisht, atëherë komisioni nuk do mund të rekomandojë hapjen e negociatave për pranimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE.
“Nga këndvështrimi i KE-së, pyetja për të cilën duhet të marrë një përgjigje është: A e plotëson Shqipëria kriterin politik për anëtarësim në BE? Dhe është shumë e qartë që nëse Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të mos funksionojë si duhet edhe për një periudhë tjetër kohore, atëherë Shqipëria ndodhet përballë një rreziku të madh që Komisioni të mos ketë mundësi të rekomandojë hapjen e negociatave për pranimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Prandaj është e rëndësishme që për hirë të interesit të integrimit europian të Shqipërisë, drejtuesit politikë të Shqipërisë të mos lenë të kalojë rastin e tryezës së rrumbullakët presidenciale për të hedhur hapa konkretë drejt gjetjes së një zgjidhjeje.”- deklaroi kreu i KE-së Helmut Lohan në një intervistë për Dë-elle e cila është publikuar sot në faqen online.
Lohan vlerëson se në dy raundet e bisedimeve mes presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha e kryesocialistit Rama ende nuk ka ndonjë hap të vecantë për të lavdëruar por beson se ky proces do të cojë në gjetjen e një zgjidhjeje brenda kohës së duhur.
“Mendoj se nuk ka asnjë arësye për ta duartrokitur apo lavdëruar ndonjë hap të veçantë në këtë proces. Dialogu politik mes palëve nuk është si në një lojë tenisi ku çdo set komentohet nga dikush. Besoj se ky proces do të çojë në një zgjidhje të suksesshme brenda kohës së duhur.”- ka thënë Lohan.
Shqipëria ka aplikuar zyrtarisht për statusin e vendit kandidat për në BE në prill të 2009. Në fund të marsit Shqipëria do të bëjë dorëzimin e pyetësorit të BE-së, për vlerësimin e kërkesës së saj për të marrë statusin e vendit kandidat. (s.g/Dwelle/BalkanWeb, Diaspora Shqiptare)
0 Comments:
Post a Comment