Investimet e huaja, Shqipëria e vetmja me rritje në rajon

Ashtu si edhe në vitin 2008 edhe gjatë vitit 2009 Shqipëria ka kryesuar me ritmet e larta të rritjes së investimeve të huaja direkte. Një studim krahasimor me vendet e rajonit Banka e Shqipërisë vlerëson se, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Malit të Zi, I cili nuk regjistron ndryshime në fluksin hyrës të IHD-ve, të gjitha vendet e tjera kanë shënuar vlera dyshifrore rënieje gjatë vitit 2008 tendencë e vërejtur edhe gjatë 2009, ndërsa e kundërta ka ndodhur me Shqipërisë.

Vendi ynë ka njohur një rritje krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar (rreth 20 për qind) ndërsa vendet e tjera të rajonit kanë shënuar një pakësim të konsiderueshëm në vlerat e
flukseve hyrëse të IHD-ve si për pasojë edhe ndaj PBBsë. Në rastin e Shqipërisë, prirja rritëse e IHD-ve konfirmohet edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, kryesisht si pasojë e rritjes
së të ardhurave nga privatizimet.

Sipas Autoritetit Qendror Bankar, flukset hyrëse të IHD-ve në Shqipëri janë ndikuar dhe nga disa reforma të rëndësishme që synojnë përmirësimin e kushteve të "të bërit biznes" në vend. Kështu, u shkurtuan dhe lehtësuan procedurat e regjistrimit të bizneseve dhe licencimit të tyre nëpërmjet krijimit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe asaj të Licencimit. Një tjetër incentivë për bizneset e huaja që vendosin të investojnë në Shqipëri, është ulja e barrës fiskale, duke përgjysmuar taksat direkte si tatimi mbi fitimin në 10 për qind, ulja e taksës së sheshtë në 10 për qind, përgjysmimi i taksës për biznesin e vogël në 1.5 për qind, si dhe përgjysmimi i normës së kontributit të punëdhënësit në 15 për qind.

Në vitin 2008, u ndryshua ligji për shoqëritë tregtare duke synuar rritjen e transparencës së këtyre kompanive. Reformat në këtë ligj e vendosën Shqipërinë ndër 20 vendet e para në indeksin e Mbrojtjes së investuesve në raportin "Doing Business" të Bankës Botërore. Kushtet e favorshme të punës në tregun shqiptar vendas dhe lehtësirat ndaj biznesit janë dy prej katalizatorëve kryesorë të ecurisë pozitive të kësaj industrie. Gjithashtu, nevoja e rritjes së nivelit të eksporteve
shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe ato ndër rajonale - për të përballuar rreziqet që burojnë nga thellimi i deficitit tregtar – e bën edhe më imperative rritjen e fluksit të IHD-ve në këtë industri.(Kohajone)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors