Gjykata Kushtetuese rrëzon me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Vendimi i marrë mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:30, është konfirmuar zyrtarisht për “Gazeta Shqiptare”. Ka qene kjo e perditshme qe se bashku me TVNews24 e BalkanWeb denoncuan shkeljen qe i behet territorit shqiptar nga marreveshja mes dy qeverive.
Kufiri detar, PS: Berisha tu kerkoje falje shqiptareve
TIRANE- Partia Socialiste reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi mbrëmë me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë.
PS i kërkon kryeministrit tu kërkojë falje shqiptarëve për marrëveshjen e cila, sipas saj “nuk ka respektuar as kushtetutën, po as parimet e fqinjësisë së mirë.”
“ Vendimi i djeshëm i kushtetueses flet për një pushtet të verbër, që për të shtatëmbëdhjetën herë kapet nga drejtësia në shkelje të Kushtetutës dhe për një kryeministër të marrë që shtatëmbëdhjetë herë rresht është zënë me presh në duar kundër interesave të vendit e kundër çdo parimi demokratik.”- reagoi në një prononcim për shtyp nga selia rozë deputetja Shegushe Ligori.
Sipas PS vendimi i Kushtetueses është një arsye më shumë për të larguar me protesta Berishën nga qeveria, kredencialet e të cilit në raport me Kushtetutën e Republikës kanë rënë.
“Shtatëmbëdhjetë shkeljet e provuara nga gjykata nuk janë për fat të keq të gjitha shkeljet që Sali Berisha i ka bërë kushtetutës dhe sot ka një arsye më shumë për ta larguar me protesta këtë pengmarrës të Shqipërisë nga detyra që nuk e kryen dot përveçse duke shkelur interesat e vendit e të popullit të tij.”- tha Ligori.
“Gazeta Shqiptare” së bashku me TVNEWS24 e BalkanWeb denoncuan shkeljen qe i behet territorit shqiptar nga marreveshja mes dy qeverive që në momentin e firmosje së kësaj marrëveshjeje.
Sondazhi në BW: Pezullimi i Paktit Detar, një nga prioritetet e vitit 2010
TIRANE-Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar marrëveshjen e qeverisë shqiptare me atë greke për përcaktimin e kufirit në ujrat detare përkon edhe me votën e lexuesve të agjencisë së lajmeve, BalkanWeb. Në sondazhin me temë “Cilin konsideroni prioritet kryesor të vitit 2010?”, votuesit ndër 10 prioritete, kanë preferuar të votojnë me shumicë votash prioritetin e quajtur, “Anulimin e Marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë”, duke konsideruar kështu 1 ndër 3 prioritet kryesore, pas asaj për liberalizimin e vizave, hapjen e kutive dhe funksionimin e “Një shteti në shërbim të qytetareve”.
Konkretisht ky prioritet rrëmbeu 10.12% e votuesve në 3 141 vota gjithsej deri paraditen e sotme 27 Janar.
Ndërkohë shumë lexues kanë zgjedhur të komentojnë direkt lajmin në BalkanWeb duke falenderuar gazetarët për denoncimin që i bënë Marrëveshjes së fshehtë që cënonte ujrat territoriale shqiptare, Gjykatën Kushtetuese që vendosi më të drejtë, kolonelin Myslym Pashaj duke zgjuar njëherësh ndjenja patriotizmi të flakta ndaj atdheut.
Sondazhi “Cilin konsideroni prioritet kryesor të vitit 2010?” qëndron që në fillim të muajit Janar në faqen e BalkanWeb, duke kërkuar mendimin e vizitorëve të faqes online reth temës.
Gazeta Shqiptare” dhe TVNews24 kane qenë te parët në vendin tonë që arritn të zbardhin qysh në 28 prill 2009 (dita e nënshkrimit të paktit nga Basha-Bakojanis) faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në disa numra rresht, GSH vërtetoi asokohe se qeveria Berisha i kishte dhuruar Greqisë nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje një sipërfaqe të madhe ujore në detin Jon. Fakti i pretenduar do të vërtetohej vetëm pak muaj më vonë nga ish-drejtori i Institutit të Tipografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli Myslym Pasha. Në datën 9 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese filloi zyrtarisht procesin e shqyrtimit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste dhe disa javë më vonë e konkretisht në datën 26 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese vendos të pezullojë procedurat e ratifikimit në Kuvend, të marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar me Greqinë.
‘Na akuzuan për të lajthitur, por tani detin e fituam’
Ishte një lloj shpallje, një gëzim të cilin nuk e prisja, por tani që ky kumt erdhi, ai e ka vendin në hartën shqiptare, në brigjet e detit Jon të cilin pas kaq shumë shekujsh, e kemi rimatur. Mosbesimi që e thamë, e ka një bazë reale, përmes përpjekjeve në përvojën demokratike shqiptare dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës, ne ende nuk e kemi arritur standardin e duhur. Ky është një dëshpërim real. Një marrëveshje për caktimin e kufijve detarë me Greqinë, ishte një ogur i mirë në kohëra të reja, për të harruar dramat e të shkuarës. Ishte një problem i madh dhe i ndijshëm që kishte të bënte me gjeohapësirat shqiptare dhe ja si arriti puna që kjo çështje të shkonte deri në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja mori një vendim që do ta quaja të pazakonshme. Ai ishte ngazëllues, jo si një fitore meskine e një grupi njerëzisht të veçantë, por si një fitore e institucioneve të pavarura demokratike, kjo është një kryefjalë që duhet cituar më së pari. Ajo tregon se maturia e funksionimit të shtetit po vjen, edhe pse me shumë vështirësi. Ajo e pranoi këtë objekt shqyrtimi dhe i kushtoi një vëmendje të lartë si askurrë tjetër, sepse ai ishte brenda ndjeshmërisë dinjitare të gjeohistorisë shqiptare, sepse ajo ishte edhe dinjitetin kombëtar, se ajo ishte pa asnjë lloj kompleksi inferioriteti edhe për marrëveshje të mëdha me fqinjët, edhe ndaj firmave të hedhura të duar-shtrëngimeve të shtetarëve të lartë, të delegacioneve rrëzëllitëse. Kushtetuesja ishte shumë e pavarur nga zyrat e larta të shtetarëve dhe çdo trysni e mundshme e të gjitha niveleve që sulmuan mediumet shqiptare duke i quajtur edhe antikombëtar. Kjo ishte një fitore e madhe jo vetëm e medias dhe studiuesve e opinionit shqiptar. Kjo ishte një fitore e madhe për demokracinë shqiptare, për funksionimin e shtetit në pavarësinë e institucioneve. Ky është një gëzim gjeohapësinor dhe shpirtëror për të gjithë shqiptarët. Unë përfaqësoj një pjesë të hartografëve shqiptarë që hartojnë portretin e Shqipërisë. Nuk mund të linim, që të këputej deti i mbijetesës sonë iliro-shqiptare. Prandaj kur më ra një dorë një marrëveshje e atillë, me Tedin e “Shqiptares” mora fjalët dhe koordinatat e saj, të cilat që në çastin e parë ishin të paafrueshme me realitetin. Ishin shformuese për syrin atdhetar, por edhe për një vrojtues të thjeshtë që e njeh detin e historisë së tij të qëndresës. Ajo marrëveshje na tregonte të papërfillur. Aty nuk ishim të barabartë, matjet, argumentet, tregonin e sillnin shkoqur se nuk ishin vënë gardhe të mirë, për një fqinjësi të mirë mes dy bendeve tona. Por ne qëndronim në atë hartë të anshëm e të papërfillur. Më tepër se gjithçka ajo marrëveshje kishte cenuar dinjitetin tonë. Ne nuk gjetëm vetëm koordinata dhe gjeohapësira detare të ndara, por fatkeqësisht hasëm dhe një qeveri, e cila na vuri në majë të bajonetës. Dhe ishim njerëzit e saj, studiues, intelektualë të shumtë brenda dhe jashtë vendit, profesorë të shquar, analistë të sërës më të parë, juristë, ushtarakë të lartë, që ngritën zërin e tyre dhe në këtë përpjekje morën të gjithë edhe të sharat më të mëdha si sharlatanë, të mbrapshtë, mashtrues, të lajthitur, apo edhe kur shtetarët e lartë krijuan edhe një skenar të një ksenofobie të paqenë. Ky ishte një mjerim i madh në këtë shqyrtim tek teknik dhe ligjor.
Ky diskutim i gjatë i lodhshëm ishte tamam si një beteje, veçse këtë betejë e kishim me vetveten, deri sa njerëzit tanë, shtetarët, kishin zënë llogore ballë nesh. Kjo ishte absurde.
Pëllumb Xhufi: U denoncuan trafikantët e kufijve në pushtet
TIRANE-Lajmi padyshim më gëzon shumë dhe ajo ç’ka më vjen më së pari në mend në këtë moment, është një mirënjohje për të gjithë ata që u angazhuan për të denoncuar këtë marrëveshje, duke u vënë shpesh edhe në zjarrin e presioneve e të sharjeve rrugaçërore nga trafikantët e kufijve në pushtet. Kam parasysh në radhë të parë gazetarët e rinj e kurajozë Tedi Blushi, Artan Hoxha e Denis Minga të “Gazetës Shqiptare” e ‘News 24’. Kam parasysh specialistë kompetentë e atdhetarë, të hedhur në udhë të madhe nga qeveria e antishqiptarëve, kam parasysh kolonel Besnik Bakiun, komandant Vladimir Bejën, kolonel Myslim Pashaj, Prof. Arben Puton, Prof. Sabit Brokaj, kolegun Preç Zogaj e ndonjë tjetër. I duhet njohur merita e madhe PS, kryetarit Edi Rama dhe gjithë atyre djemve e vajzave të reja të kësaj partie, që i dhanë luftës për denoncimin e kësaj marrëveshje tradhtare një dimension e një perspektivë të re, duke e çuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Vetë Gjykata Kushtetuese, me trajtimin e ftohtë e të përgjegjshëm të kësaj çështje aq të koklavitur e plot implikime sa juridike aq edhe politike, na tregoi se në këtë vend ku drejtësia është i akuzuari i ditës, ekziston megjithatë një qelizë bazike e gjithë sistemit juridik e shtetëror, që funksionon me profesionalizëm e integritet, dhe kjo është pikërisht Gjykata Kushtetuese dhe anëtarët e saj të nderuar. Por, nga ana tjetër, kjo histori na ndihmoi të gjithëve të shohim në gjithë errësirën e mjerimin e vet gjithë shpurën e atyre që tentuan të dëmtojnë edhe njëherë interesat e vendit, duke i nxjerrë ato në pazarin e sendeve të pista. Në gjykimin tim, ditën kur Gjykata Kushtetuese do të shpallë vendimin e saj, Prokuroria e Përgjithshme duhet të hapë padi penale ndaj të gjithë atyre që tentuan të cenojnë rëndë integritetin territorial të vendit, duke kaluar kontrabandë këtë marrëveshje antishqiptare, duke filluar nga Kryeministri e duke përfunduar tek Kryenegociatori enigmatik, gjeneral Gërveni.(d.b/GSH/BalkanWeb)
0 Comments:
Post a Comment