Rekord në Fierzë, eksport energjie drejt Kosovës


Prurjet në Fierzë kanë arritur dje në 1 600 metër/kub ujë në sekondë, niveli 287 metër



Kukës, më 25 mars: Shirat e ditëve të fundit që kanë përfshirë të gjithë territorin e Shqipërisë, por edhe Kosovën e Maqedoninë kanë përmirësuar së tepërmi situatën elektroenergjitike në Shqipëri, megjithatë ministri i Ekonomisë e Energjitikës, Genc Ruli ka deklaruar se ende nuk mund të flitet për kapërcim të krizës energjitike në Shqipëri. Sasia e madhe e reshjeve në rajonin e Kukësit, Pukës, Tropojës, Dibrës, Kosovës e Maqedonisë perëndimore ka bërë që sasia e prurjeve në basenin e HEC-it Fierzë, më i madhi në Shqipëri, të shkojë deri në 1 600 metër/kub ujë në sekondë, duke çuar nivelin e liqenit të këtij hidrocentrali në kuotën e 287.20 metrave. Burime nga salla e komandës në HEC-in Fierzë kanë bërë të ditur se ky hidrocentral ka mbyllur portat, duke mos prodhuar energji elektrike për momentin.

Sipas të njëjtave burime, aktualisht po punojnë me kapacitet të plotë HEC-et e Komanit dhe Vaut të Dejës në kaskadën e Drinit, ku prurjet e ujit në Liqenin e Komanit kanë shënuar 700 metër/kub ujë në sekondë. Specialistë të HEC-it Fierzë kanë bërë të ditur se mbyllja e portave në këtë hidrocentral do të vazhdojë, derisa niveli i ujit në Liqenin e Fierzës të arrijë në kuotën e 292 metrave.

***

Kuota maksimale e liqenit të Fierzës është 296 metër. Pas arritjes së kuotës 292 metër, në bazë të Rregullores së Funksionimit të Digave, duhet patjetër të fillojë prodhimi i energjisë elektrike, për të shmangur çdo të papritur nga reshjet e shumta që do të shtonin prurjet. Në momente prurjesh të mëdha, rregullorja për funksionimin e këtij HEC-i thotë që niveli i ujërave në basen duhet të jetë 4 metër poshtë nivelit maksimal. Me ritmin aktual të prurjeve niveli i Liqenit të Fierzës rritet 5 centimetër në orë, kështu që i bie që prodhimi të fillojë pasditen e së shtunës, nëse prurjet vazhdojnë me këtë ritëm. Lidhur me situatën e re hidrike të krijuar në sistemin energjitik shqiptar, ministri i Ekonomisë e Energjitikës, Genc Ruli ka deklaruar se do të vazhdojë prodhimi i energjisë elektrike, ku një pjesë e këtij prodhimi do të depozitohet në Kosovë përmes linjës së Tensionit të Lartë 220 kilovolt Fierzë-Prizren. Ndërkohë që sipas Rulit, Kosova do të jetë kryesisht vendi i depozitimit të sasisë më të madhe të energjisë elektrike, por një pjesë e energjisë elektrike do të depozitohet edhe në Malin e Zi. Aktualisht në Shqipëri po vazhdon me kapacitet të plotë prodhimi i energjisë elektrike në HEC-et e Komanit dhe Vaut të Dejës. Fuqia e instaluar e Hidrocentralit të Fierzës është 500 megavat, ndërsa ajo e HEC-ve të ngritura në kaskadën e Drinit është 1350 megavat/orë, ose 32 milion kilovat/orë gjatë 24 orëve. HEC-i i Komanit ka një fuqi të instaluar 600 megavat, ndërsa Vau i Dejës 250 megavat. Por shifrat e lartpërmendura, sipas specialistëve janë kur liqenet e këtyre HEC-ve janë në kuota maksimale dhe të gjithë agregatet janë në punë.



Mbushen HEC-et në gjithë vendin


"Kesh nuk do humbasë as edhe një pikë ujë, por do fillojë depozitimin e energjisë elektrike",- ka deklaruar sot Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Gjergji Bojaxhi pas inspektimit në Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Aty ai ka parë nga afër portat e shkarkimit dhe nivelin e ujit në kaskadën e Drinit. Bojaxhi u shpreh se KESH në asnjë moment, as edhe këtë vit, nuk do derdhë asnjë pikë ujë, edhe pse prurjet nga reshjet deri tani janë të kënaqshme dhe gati në kuotën maksimale. Bojaxhi u shpreh se KESH po përgatitet të bëjë depozitimin e energjisë, dhe që nga e mërkura fillon depozitimi i energjisë në Kosovë. Qëllimi i këtyre depozitimeve është ruajtja e energjisë elektrike dhe marrja e saj kur është më e nevojshme, siç është rasti i sezonit veror, kur edhe thatësirat janë më të mëdha. Përmirësimi i situatës hidrike në liqenet e tre hidrocentraleve që janë të ndërtuar në kaskadën e lumit Drin, është rezultat i reshjeve të shumta të shiut e të dëborës që kanë rënë në veriun e vendit. Sipas drejtuesve të HC të Vaut të Dejës, kuota e ujit në liqenin e këtij hidrocentrali është afër maksimales, ku duhen 1 m e 40 cm që të arrihet kjo kuotë por me derdhjet e zakonshme që bëhen deri në 1500 metër/kub ujë për sekondë, nuk ka ndonjë rrezik përmbytje në zonat përreth. Përmbytjet ndodhin vetëm nëse hapen të gjitha portat e kaskadës në të dy krahët, ato të Qarsaqit dhe të Zadejës.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors