Bojaxhi i bën thirrje qeverisë dhe politikës në tërësi, të jenë transparentë për kostot financiare
Politika shqiptare duhet t'i bëjë të qartë votuesve dhe qytetarëve shqiptarë, që kjo kosto në një mënyrë ose një tjetër do të përballohet nga taksapaguesit. A përballohet me një financim emergjent nga buxheti sot, apo me një çmim më të ulët për shitjen e kësaj kompanie që ne kemi, kjo është një alternativë që sigurisht shtresa politike duhet ta diskutojë dhe t'i gjejë një zgjidhje.
Kjo ka qenë deklarata që ka bërë Bojaxhi gjatë ditës së djeshme në lidhje me kostot dhe faturën financiare të krizës energjetike, që është kthyer që prej vitesh ne një fenomen kronik. "Por të thuhet që do të vazhdojë importi maksimal pa marrë parasysh kostot e importit, nuk është diçka që mund të japë reagime normale në treg. Unë jam për një alternativë që të ketë një financim nga buxheti i shtetit, por ai duhet të jepet me kushte për investime konkrete. D.m.th., edhe sikur Korporata të lejohet sot të marrë kredi afatshkurtër dhe afatmesme nga bankat lokale, minimumi që duhet bërë nga buxheti i shtetit dhe që duhet ta miratojë Parlamenti është që fondet emergjente, edhe sikur të mos jepen për blerjen e energjisë, duhet të jepen për të bërë projekte konkrete. Qoftë për prodhimin ose shtimin e linjave të transmetimit të energjisë me vendet fqinje, për të shtuar sasinë e importit",- tha Bojaxhi.
Rritje sërish e çmimeve
"Duke marrë parasysh që ashtu si në shumë vende të botës, çmimi i energjisë nuk vendoset në bazë të logjikës së ekonomisë së lirë dhe tregut, por ka edhe faktorë politikë që ndikojnë, nuk do të ishte e përshtatshme që Korporata të insistonte më shumë në sasinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Duke marrë parasysh që ky nuk është faktor që varet nga ne plotësisht, synimi ynë është që në mënyrë sistematike të shtojmë arkëtimet e energjisë dhe në të njëjtën kohë të reduktojmë vjedhjet",- tha Bojaxhi. Kreu i KESH ka bërë të ditur edhe situatën e humbjeve dhe vjedhjeve të energjisë, një nga pikat më të kritikuara nga ana e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. "Doja t'iu thosha që gjatë muajve të fundit, çdo muaj, arkëtimi nga familjarët ka ngelur në shifrat mbi 82%. Ky është rezultati historik i Korporatës. Që nga viti 1997, Korporata kurrë nuk ka arritur që çdo muaj të mbajë arkëtime kaq të larta nga konsumatorët familjarë. D.m.th., ajo që varet nga korporata nga punonjësit e korporatës në terren është duke u bërë. Sigurisht ka vend për përmirësim, dhe do të bëhet. Se çfarë do të vendosë ERE për rritjen e çmimit të energjisë, ne nuk mund ta shprehim në këtë moment",- tha Bojaxhi.
Box
Tre mundësi për të shpëtuar KESH-in
Korporata të marrë kredi nga bankat lokale
Buxheti i shtetit të japë fonde emergjente
Të ulet importi dhe shtohen orët e territ
0 Comments:
Post a Comment