TEC-i në Vlorë, Këshilli bashkiak OK për referendumin

Këshilli i bashkisë së Vlorës miratoi kërkesën e disa këshilltarëve drejtuar KQZ-së për zhvillimin e referendumit në lidhje me Petroliferën

Të djathtët nuk shprehen me anë të kartonit, njëri abstenon. Me 20 vota "pro", miratohet kërkesa për referendum

Vlorë-Do të jenë vetë qytetarët e Vlorës që do të vendosin, nëse duan apo jo që në qytetin e tyre të ngrihet TEC-i. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Bashkisë së Vlorës, i cili në mbledhjen e radhës ka miratuar dhënien e mundësive qytetarëve të Vlorës për vetëvendosjen nëpërmjet referendumit për ndërtimin e veprave me bazë nafte. Pas kësaj, sipas vendimit të këshillit dhe si e duan procedurat ligjore, kjo kërkesë do t'i depozitohet KQZ-së.

Mbledhja

Miratimi ose jo i referendumit ka qenë edhe pika më e diskutuar në mbledhjen e këshillit bashkiak të radhës, e cila parashikohej në rendin e ditës. Gjithçka është kryer me iniciativën e një grupi këshilltarësh, shumica të LSI-së, të cilët i kanë drejtuar këshilltarëve të tjerë kërkesën për diskutimin e kësaj çështjeje, vlerësuar si e një rëndësie të veçantë për ta. Në emër të këshilltarëve që kanë firmosur kërkesën, kryetarja e grupit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Albana Hodo, ka theksuar se është detyrë e tyre marrja parasysh e kërkesës së mijëra qytetarëve vlonjatë. "Duke qenë përcjellës të zërit të tyre, ne e ndiejmë për detyrë të marrim parasysh kërkesën e mijëra qytetarëve",- tha ajo, dje në mbledhjen e këshillit bashkiak, duke theksuar se askush nuk mund të bëjë indiferentin kur komuniteti është kundër ndërtimeve të tilla. Këshilltarja është mbështetur në fjalën e saj dhe nga këshilltarët të tjerë.

Pro dhe kundër referendumit

Për rishqyrtim të vendimit nëpërmjet referendumit është shprehur dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të PS-së, Eltar Deda, dhe përfaqësues të tjerë të këshillit, sipas të cilëve një vendim i tillë për kësi lloj ndërtimesh i duhet lënë në dorë komunitetit.Qëndrime të kundërta kanë mbajtur këshilltarët e grupit të djathtë.Sipas tyre, një vendim i tillë nuk është normal, pasi tashmë vepra ka nisur ndërtimin, ndërsa kërkesa e dërguar nga kolegët e tjerë nuk ishte e mirëformuluar. Këshilltarë që kishin qenë në këtë funksion dhe legjislacionin e mëparshëm, janë shprehur sespecialistët e ministrisë dhe projektit kishin ardhur, ishin njohur me situatën e ndërtimit, ndotjeve ambientale, por gjithçka ka mbetur deri në këtë kuadër.

Votimi, indiferentë të djathtët

Gjithsesi kryetari i këshillit, Arben Sinani, i ka hapur rrugë votimit, ku për procedurën kanë nguruar të bëjnë publike votën përfaqësuesit e spektrit të djathtë. Vetëm një prej tyre ka abstenuar, ndërsa të tjerët nuk janë shprehur me anë të kartonit, por as nuk kanë dalë nga salla kur është kryer votimi. Me 20 vota pro dhe një abstenim, kërkesa për referendum ka marrë OK, duke e depozituar këtë çështje në KQZ për të dytën herë. Vendimi erdhi pas një "lufte" të gjatë, debatesh pa fund, e protestash të shumta të komunitetit paraprirë nga aleanca për mbrojtjen e gjirit të Vlorës. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors