Restaurimet, 1.2 mln $ për objektet karakteristike

Vetëm gjatë 9 muajve të fundit janë investuar 38.4 milionë lekë për 6 objekte. Investime dhe për 17 të tjera

Ndërtesat e rëndësishme që janë restauruar dhe fondet e përcaktuara për pjesën e mbetur të qytetit të gurtë

GJIROKASTËR- Restaurohen objektet e pjesës karakteristike të qytetit të gurtë. Pas fazës së parë, që ndërroi pamjen e shtëpive të futura në pjesën e rëndësishme të trashëgimisë kulturore, do të nisë puna për objektet e mbetura. Për shumë prej tyre pritet përfundimi i proceseve të tenderimit dhe më pas lidhja e kontratave përkatëse. Ndërkaq, fondet janë gati dhe pritet vetëm nisja e punës për 17 objekte të tjera të rëndësisë së veçantë.

Plot 38.4 milionë lekë të rinj janë investuar gjatë këtyre 9 muajve në gjashtë objekte të pjesës karakteristike në qytetin e gurtë, ndërsa pritet të fillojnë punimet edhe në ndërtesat e përcaktuara nga fondi 1.2 milionë dollarë. Të gjitha investimet janë kryer nga fondet e dhëna nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky fakt është konfirmuar nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, Spartak Drrasa për "Shekullin". Sipas të dhënave të drejtorisë rajonale, kanë përfunduar tashmë punimet e restaurimeve në shtëpinë e Skëndulatëve me një fond prej 2.4 milionë lekësh të rinj si dhe në dy dyqane në Pazarin Karakteristik, që kanë kushtuar nga 1 milion lekë secili. Ndërkohë mjeshtrat e restaurimeve janë duke vijuar punën në shtëpinë e Çabejt, që pritet të përfundojë brenda muajit tetor me një vlerë prej 2 milionë lekësh. "Në shtëpinë e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, me një fond prej 10 milionë lekësh vetëm për fazën e parë si dhe në kompleksin "Zagoria", apo siç njihet ndryshe Hani i Stavros e që do të kapë një shifër prej 20 milionë lekësh të rinj. Të gjithë këto, para të lëvruara dhe për të cilat puna pritet të mbyllet brenda afateve të përcaktuara.

***

Paralelisht me punën e bërë për restaurimet e nisura në shtëpitë karakteristike, drejtoria ka bërë planet për të tjera objekte, që janë përcaktuar në listët e ndërhyrjes së shpejtë. Po sipas të njëjtave informacione mësohet se gjatë këtyre ditëve pritet të përfundojnë proceset e tenderimeve dhe lidhjeve të kontratave për dy objekte të tjera të rëndësishme monumentale në rrethin e Gjirokastrës. Sipas burimeve zyrtare mësohet se do të niset me teatrin e Hadrianopolit, me një fond prej 2.2 milionë lekësh si dhe ura e Kordhocës që do të kapë vlerën e 600 mijë lekëve.Sipas drejtorit të monumenteve, Spartak Drrasa, pritet tashmë lëvrimi i fondit prej 1.2 milionë dollarësh, të akorduar nga qeveria shqiptare e që do të menaxhohen nga organizata botërore e trashëgimisë kulturore, UNESKO, e ku qyteti i gurtë bën pjesë prej 2 vjetësh. "Shpresojmë që shumë shpejt të fillojnë punimet në 17 objektet e përcaktuara, prej të cilave 7 janë pranuar nga UNESKO. Nga ana jonë, prej disa kohësh ka përfunduar përpilimi i dokumentacionit të nevojshëm dhe tani pritet vetëm ndërhyrja",- ka theksuar Drrasa. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors