Marrëveshja për fiksimin e çmimeve, është nënshkruar midis kompanive të prodhimit të betonit në Tiranë
Kompanitë e prodhimit të betonit në Tiranë kanë nënshkruar një marrëveshje, me anë të cilës kanë fiksuar çmimet e betonit në treg, duke shmangur në këtë mënyrë konkurrencën. Marrëveshja është konstatuar nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, pas shqyrtimit të Raportit të Grupit të Punës, për përfundimin e procedurës së Hetimit Paraprak dhe rezultatet e inspektimeve të kryera.
Sipas këtij hetimi, ky institucion ka bërë të ditur se, "ndërmjet ndërmarrjeve prodhuese të betonit në Qarkun e Tiranës është nënshkruar një marrëveshje. Kjo marrëveshje, e nënshkruar mes ndërmarrjeve "Alba-Beton" Sh.p.k, "Ani" Sh.p.k, "Alban Tirana" Sh.p.k, "Beststar" Sh.p.k, "Beton Expres" Sh.p.k, "Delia", "Eurovin", "Eurobeton" 2005, "Euroline", "Ferro-Beton", "Halili", "Ital-Beton Construction", "Kirchberger", "Kdk", "Qarri", "Tirana-Beton", "Sina 98", "Shkodra Beton", është marrëveshje e ndaluar pasi bie në kundërshtim me nenin 4, pika 1, germa (a), e Ligjit Nr.9121, datë 28.07.2003 "Për Mbrojtjen e Konkurrencës", pasi fikson çmimet e shitjes së betonit sipas markave, rrit çmimet e betonit me 2 euro për metër/kub dhe vendos kushte të tjera tregtimi, siç janë ndalimi i kreditimit për firmat ndërtuese, të cilat janë debitore ndaj firmave anëtare të Unionit të Prodhuesve të Betonit".
***
Komisioni i Konkurrencës, në raportin e nxjerrë për këtë hetim, ka bërë të ditur se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, ndërmarrjet përcaktojnë çmime të fiksuara duke vepruar si një grupim ndërmarrjesh i vetëm dhe cenojnë në këtë mënyrë konkurrencën e lirë në treg, duke dalë jashtë objektivit të shoqatave të biznesit. Nisja e këtij hetimi ishte paralajmëruar kohë më parë nga institucioni i konkurrencës, duke paralajmëruar këto biznese për shkelje të mundshme në këtë treg, për kryeqytetin. Duke u bazuar në këto hetime, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur ndalimin e Marrëveshjes së lidhur më datë 15.07.2006 ndërmjet ndërmarrjeve prodhuese të betonit në Qarkun e Tiranës. Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet në këtë treg, pas konstatimit për shkelje të konkurrencës.
Komisioni i Konkurrencës ka ngarkuar Sekretarin e Përgjithshëm, për vazhdimin e hetimit, për të përcaktuar pasojat e veprimit antikonkurrues dhe njoftimin e palëve të përfshira në këtë hetim. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment