FMN: Durrës-Kukës të vazhdojë, pavarësisht kostove

Projekti i përfshirë në skandale financiare vlerësohet si i rëndësishëm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar

Misioni i Fondit ka kërkuar nga ana e KESH, që të rrisë çmimin e energjisë elektrike

Deklarata e FMN-së zbeh prognozat e fundit të kreut të Financave, Bode, ku është vlerësuar se zërat për inflacion në rritje janë spekulative. Efektet e një krize të gjatë energjetike dhe njëkohësisht rritja në vazhdimësi e çmimeve të naftës dhe drithërave, ka bërë që efektet zinxhir edhe në mallrat e tjera të konsumit të jenë të ndjeshme. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe atyre joushqimore ka vazhduar me ritme të shpejta edhe në ditët e para të kësaj jave.

Rruga Durrës-Kukës, një projekt i përfshirë tashmë në hetim për afera korruptive, është vlerësuar si i domosdoshëm për t’u vazhduar nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Ne kemi në vëmendjen tonë edhe projektin Durrës-Kukës dhe mendojmë se ai duhet të vazhdojë, pavarësisht kostove që mbart”,- ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme Gerëin Bell, që kryeson edhe misionin e FMN-së, që ka realizuar gjatë ditëve të fundit një vizitë në vend. Sipas Bell, realizimi i investimeve kapitale nga ana e qeverisë mbetet në nivele tepër të ulëta dhe mbart risk të madh mosrealizimi edhe për fundin e këtij viti. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar periodikisht qeverinë për mosrealizimin e investimeve të parashikuara gjatë vitit buxhetor, që tashmë është kthyer në një fenomen ciklik, që ka shumë gjasa që të përsëritet në të njëjtën masë edhe gjatë këtij viti, duke pasur parasysh edhe ritmin e deri tanishëm të investimeve publike. Por drejtuesi i misionit të FMN-së, Bell ka bërë të ditur se edhe investimi në këtë rrugë duhet të shihet me kujdes, në mënyrë që mos të krijohen risqe shtesë në buxhet. Nga ana e tij ministri i Financave, Bode ka bërë të ditur se, për vitin 2008 nga buxheti i shtetit nuk do të dalë asnjë lek për të financuar rrugën Durrës-Kukës. “Në infrastrukturë nuk do të ketë probleme sepse dihet se, për të financuar vëllimin e punimeve të vitit 2008 të rrugës Durrës-Kukës, ne kemi kontraktuar një kredi prej 230 milionë euro, kjo do të thotë që nuk do të dalë asnjë lek nga buxheti për këtë rrugë gjatë vitit të ardhshëm dhe kostoja e rrugës nuk mund të ndikojë në standardin e buxhetit dhe garancinë që do të ofrojë buxheti, pasi parashikimi i vëllimit të punimeve, sipas MPPTT-së dhe kompanisë, shkon në rreth 200 milionë euro. Pra, për vitin që vjen, nuk bëhet fjalë për risk financimi. Ajo do të diskutohet për vitin 2009, kur të kemi të dhënat përfundimtare. Por edhe mundësitë për të rritur financimet tona, janë gjithnjë e më të mëdha”,- tha Bode

***

Varësia e madhe që ka Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nga buxheti i shtetit dhe financimi i vazhdueshëm që qeveria bën për këtë sektor, mbeten një nga problemet kryesore, sipas FMN-së, për qeverinë. Bell, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se, pavarësisht nga përpjekjet e mirëpritura të ndërmarra nga drejtuesit e KESH-it, do të nevojiten masa të tjera në sektorin e energjisë elektrike. “Po realizohen objektivat për arkëtimet dhe humbjet në bazë të Plan-Veprimit të Sektorit të Energjisë, përveç arkëtimeve nga ndërmarrjet e ujësjellësve. Në këtë kuadër, ne mirëpresim shlyerjen e borxheve të para vitit 2007 që kanë institucionet e sektorit publik ndaj KESH-it.

Gjithsesi, kufizimet e energjisë elektrike këtë vit kanë qenë më të pakta sesa ishin parashikuar në Plan-Veprimin. Nisur nga kjo dhe nga ndikimi i pafavorshëm i thatësirës mbi prodhimin e energjisë elektrike, do të nevojiten masa të tjera të rëndësishme për të mbrojtur buxhetin e vitit 2007, sikurse janë fokusimi më i mirë i kufizimeve, rritja e çmimit të energjisë elektrike, si edhe përmirësimet e mëtejshme në performancën e arkëtimeve dhe humbjeve të KESH-it. Duke shikuar përpara, kjo do të lehtësojë kalimin drejt një furnizimi të pandërprerë me energji elektrike në vitin 2008”,- ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesi i FMN-së.

***

Inflacioni në rritje është tashmë një fenomen që është pranuar edhe nga ana e përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Tronditjet e pafavorshme të shkaktuara nga faktorë të jashtëm nuk kanë ndikuar deri tani në zhvillimin ekonomik, por ato kanë çuar drejt një rritjeje të presioneve inflacioniste”,- ka bërë të ditur përfaqësuesi i misionit të FMN-së, Bell. Deklarata e Bell është në koherencë edhe me sinjalet e vazhdueshme të lëshuara nga ana e Bankës së Shqipërisë, për një rritje të presioneve inflacioniste, madje që tashmë janë kristalizuar edhe me një tejkalim në 4.2% të inflacioni për muajin e kaluar. Deklarata e FMN-së zbeh prognozat e fundit të kreut të Financave, Bode, ku është vlerësuar se zërat për inflacion në rritje janë spekulative. Efektet e një krize të gjatë energjetike dhe njëkohësisht rritja në vazhdimësi e çmimeve të naftës dhe drithërave, ka bërë që efektet zinxhir edhe në mallrat e tjera të konsumit të jenë të ndjeshme. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe atyre joushqimore, ka vazhduar me ritme të shpejta edhe në ditët e para të kësaj jave. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors