SHKODËR- Një grindje që nisi nga një bisedë për një kanarinë në një lokal në plazhin e Velipojës mes pronarit dhe pushuesve la një klient të vrarë dhe një të plagosur.
Ngjarja ndodhi në orët e vona të së martës, kur një breshëri automatiku la të vdekur 40-vjeçarin, Zamir Kuçi, nga Shkodra dhe të plagosur rëndë kunatin e tij Elvis Bala, 28 vjeç. Sipas policisë, autorë të vrasjes janë vëllezërit Arsen dhe Arjol Ramaj, të cilët janë shpallur në kërkim, pasi u larguan menjëherë pas krimit.
Vendi i ngjarjes
Ngjarja ndodhi në orën 03.20, duke u gdhirë dita e djeshme, në plazhin e Velipojës. Viktima dhe kunati i tij, i cili kishte ardhur pak ditë më parë me pushime nga Italia ku dhe është emigrant kanë qenë duke pirë në një lokal të vogël në zonën e plazhit. Lokali gjendet në të majtë të rrugës që të çon drejt Vilunit, rreth 800 m larg qendrës së plazhit , në afërsi të pyllit me pisha dhe në një territor me shumë ndërtime, kryesisht vila privatetë qytetarëve shkodranë. Dy klientët kanë qëndruar aty deri në orët e vona të natës, pasi banesa e viktimës, Zamir Kuçi ndodhet vetëm rreth 50 m larg këtij lokali. Lokali nuk është shumë i frekuentuar, pasi ai është një verandë e vogël e mbuluar me rrogoz kashte me vetëm 4 tavolina. Pas tij, ndodhet një dyqan ushqimor i vogël që shërben vetëm për periudhën e plazhit. Mësohet se aty, vetëm pak minuta para ngjarjes kanë qenë dhe disa persona të tjerë, pushues që kanë shtëpitë aty pranë që më pas janë larguar.
Sherri
Mes dy klientëve, viktimës Kuçi dhe kunatit të tij Bala ka nisur një konflikt i çastit me dy djemtë e pronarit të lokalit, shtetasit Arsen Ramja, 26 vjeç, dhe Arjol Ramja, 21 vjeç. Sipas policisë, autorët janë lindur e banues në lagjen "Qemal Stafa" në qytetin e Shkodrës. Sipas dëshmive në vendin e ngjarjes, konflikti ka qenë për motive të dobëta dhe ka nisur për një kanarinë që ndodhej brenda një kafazi në lokal dhe që i përkiste dy vëllezërve Ramja. Nuk dihen detaje rreth sherrit, por mësohet se ai degjeneroi menjëherë në fyerje e sharje të rënda e më pas edhe goditje mes palëve. Pas kësaj, sipas burimeve zyrtare të policisë, dy vëllezërit Ramja kanë marrë një automatik, që e mbanin të fshehur në dyqanin e tyre dhe kanë qëlluar me dy breshëri të shkëputur mbi dy klienët.
Ndihma
Pas breshërisë që la të shtrirë përdhe e të mbytur në gjak dy pushuesit, autorët janë larguar me shpejtësi me një mjet tip Golf ngjyrë të bardhë me targë SH 7713 D, pa mundur të kapen nga policia. Ngjarja e ndodhur dhe krismat e armës kanë tronditur banorët, jo të paktë që jetojnë gjatë verës në këtë zonë. Kanë qenë pikërisht këta që i kanë dhënë ndihmën e parë viktimave duke i transportuar drejt Shkodrës. Gjatë transportit ka vdekur Zamir Kuçi, ndërsa Elvis Bala i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për rreth 5 orë në spitalin e Shkodrës. Sipas mjekëve, ai vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se në trup ka 10 plumba dhe jeta e tij është në rrezik.
Policia
Policia ka bërë shpalljen në kërkim të dy vëllezërve Ramja, që sipas saj janë autorë të ngjarjes. Mësohet se janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe janë ngritur postblloqetë veçanta në disa pika të qytetit. Në vendin e ngjarjes janë gjendur mjaft gëzhoja automatiku. Sipas të dhënave nga hetimet paraprake, dy autorët dhe familja e tyre veronin në plazh ku dhe punonin me dyqanin e vogël dhe klubin para tij, ndërsa njiheshindhe si tregtarë të vegjël që me çanta bënin tregti me mallra nga Mali i Zi. Viktima Zamir Kuçi, baba i tre fëmijëve, është pronar i disa dyqaneve në Shkodër dhe në Velipopjë. Ai ndodhej aty së bashku me familjen e të afërmit e tij në një banesë të tijën private. Duke iu referuar statistikave, kjo është vrasja e gjashtë e këtij viti në qarkun e Shkodrës, dhe e treta brenda muajit gusht, ku dy prej tyre kanë ndodhur pas grindjeve në plazhin e Velipojës. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment