Në botën e sotme, kërcënime të tilla zakonisht vijnë nga megalomania apo nga krizat dëshpëruese politike e kombëtare. Në rastin e Serbisë, duket se janë të dyja
Dëshpërimi shtetëror e politik nuk është kurrë këshilltar i mirë për diplomacinë. Këtë po dëshmon sjellja e diplomacisë serbe për çështjen e pavarësisë së Kosovës, ku idetë, tezat apo alternativat e propozuara për zgjidhjen, po marrin çdo ditë forma më absurde e më surealiste. Në takimet dhe bisedimet e saj të ethshme dhe të përditshme për Kosovën në gjithë kancelaritë europiane dhe jo europiane, diplomacia serbe ka vënë në funksionim edhe kërcënimin e prerjes së marrëdhënieve diplomatike me çdo shtet, që do të njohë pavarësinë e Kosovës.
Si kryeministri radikal V.Koshtunica, ashtu dhe ministri i tij i Jashtëm liberal, V.Jeremiç, nuk mendohen dy herë për ta hedhur nëpër tryezat e larta diplomatike në shumë kryeqytete këtë kërcënim zyrtar serb. Në pamjen e parë duket sikur kërcënimi u drejtohet të gjitha shteteve të botës, gjë që natyrisht e bën edhe më absurd. Por realisht nuk është ashtu. Sepse në Berlin më 17 korrik, kryeministri i Serbisë V.Koshtunica vetëm në mënyrë të tërthortë la të nënkuptohej kërcënimi diplomatik serb. Ndërsa kur vjen fjala për në rajon, zyrtarët serbë demonstrohen shumë agresivë, siç bëri ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, ku i shpalli paralajmërim Malit të Zi dhe shteteve të tjera të rajonit me një gjuhë të kohërave të perënduara që, "le të mos bëjnë ndonjë hap që më vonë do të jetë vështirë të kthehen mbrapsht".
Sigurisht, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike është një akt dhe situatë e rëndë në marrëdhëniet mes dy shteteve. Çdo shtet dhe qeveri serioze duhet të mendohet dhjetë herë para se të ndërmarrë një hap të tillë kundrejt njërit apo tjetrit shtet, pa le më kundrejt gjithë shteteve të botës. Shkaqet dhe motivet duhet të jenë vërtet të rënda e natyrisht, shteti dhe qeveria e ka detyrë të llogarisë të gjitha efektet dhe pasojat për shtetin dhe popullin e vet. A i kanë menduar këto gjëra udhëheqësit e tanishëm të Serbisë, kur shpallin me lehtësi nëpër tryeza, forume, ekrane dhe mikrofona, se do të presin marrëdhëniet diplomatike me të gjitha shtetet që do të njohin Kosovën?
Në botën e sotme, kërcënime të tilla zakonisht vijnë nga megalomania apo nga krizat dëshpëruese politike e kombëtare. Në rastin e Serbisë, duket se janë të dyja.
Megjithëse autori dhe promotori i kësaj teze kërcënuese është kryeministri radikal V.Koshtunica, ai në fakt nuk është origjinal. Sepse Serbia e ka vënë njëherë në jetë këtë kërcënim të saj. Në marsin e vitit 1999, kur Aleanca Atlantike ndërmori ndërhyrjen e saj humanitare kundër Serbisë për të ndalur genocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë, qeveria e presidentit Sllobodan Millosheviç preu marrëdhëniet me shtetet anëtare të NATO-s, me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën etj, si dhe me Shqipërinë. Këto marrëdhënie i rivendosi qeveria e presidentit V.Koshtunica, pasi erdhi në fuqi në tetor të vitit 2000, pas rrëzimit të Millosheviçit. Tani, Koshtunica merr në përdorim kërcënimin e metodës millosheviçiane të prerjes së marrëdhënieve diplomatike me gjithë shtetet, për shkak të Kosovës.
A duhet marrë në konsideratë ky kërcënim, apo duhet parë thjesht dhe vetëm si një bllof diplomatik i Beogradit? Padyshim ai ngjall nënqeshje argëtuese tek diplomacia e Uashingtonit, Londrës, Berlinit apo Parisit. Por nga shtetet me përmasa dhe role më modeste në arenën ndërkombëtare, duket se ka vend për të qëndruar. Ai në fakt duhet marrë në konsideratë në dy drejtime. Drejtimi i parë është për të parë dhe kuptuar me qartë mënyrën e reagimit dhe të sjelljes ndërkombëtare, që po aplikon Serbia kundrejt komunitetit ndërkombëtar. Në një kohë kur OKB-ja, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm shpall se zgjidhja më e mirë është plani i Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, kur BE ka shpallur se po ky plan është alternativa më e goditur dhe kur SHBA-ja ka shpallur se Kosova do të bëhet e pavarur në një mënyrë apo tjetër, Serbia reagon apriori kundër bashkësisë ndërkombëtare. Dhe shpall se jo vetëm është kundër të gjithëve, por edhe se është gati të luftojë kundër të gjithëve, duke prerë marrëdhëniet diplomatike me të gjithë. Kjo do të thotë se ai shtet është ende shumë larg parametrave dhe standardeve demokratike dhe moderne të bashkëjetesës ndërkombëtare. Kjo do të thotë se ai shtet është shumë larg parametrave dhe kritereve që kërkohen për integrimin e tij në strukturat euroatlantike. Kjo do të thotë se ai shtet është ende shumë larg të të kuptuarit të kohës dhe të normave demokratike të marrëdhënieve të sotme ndërkombëtare. Kjo do të thotë se indulgjenca e hapjes së bisedimeve me Serbinë për MSA-në nga BE-ja, apo e pranimit të saj në Partneritetin për Paqe nga NATO, pa zbatuar asnjë kusht, nuk ka qenë një politikë e efektshme.
Drejtimi i dytë për të marrë seriozisht këtë kërcënim të Serbisë ka të bëjë me rajonin. Një investigim i kujdesshëm i zhvillimeve nxjerr se kërcënimi i Serbisë ka pasur një farë efekti në disa shtete të rajonit dhe në qëndrimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës. Duket se ka një farë tërheqjeje nga disa qëndrime të qarta të disa shteteve ballkanike në drejtim të mbështetjes së planit të Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur. Në mënyrë të pashpjegueshme, disa përfaqësues zyrtarë si presidenti i Malit të Zi apo zëvendësministri i Jashtëm bullgar, hedhin pa të keq këto ditë tezën që statusi i Kosovës duhet të ketë edhe miratimin e shteteve të rajonit. Kjo, në një kohë kur dihet se bota nuk po është në gjendje të bashkojë në një mendim Beogradin e Prishtinën lidhur me statusin, e jo të bashkojë p.sh, Shqipërinë, që është për pavarësinë e Kosovës, me Rumaninë që është për mbetjen e Kosovës nën Serbi.
Disa prej udhëheqësve të rajonit duket se bëjnë një llogari të shkurtër përpara një alternative pa rrugëdalje, të cilën ua vendos atyre diplomacia serbe: "O me Serbinë, o me Kosovën!". Kjo është një mënyrë jolargpamëse e vështrimit të ecurisë së gjërave, sepse gjeopolitika e rajonit ka ndryshuar pas vitit 1999 dhe Kosova, don apo nuk don Serbia, do të jetë një shtet i ri në rajon, një shtet fqinj me disa shtete ballkanike. Llogaritë strategjike bëhen duke marrë në konsideratë marrëdhëniet me të gjitha shtetet në rajon dhe Kosova do të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar të shteteve në Europën Juglindore.
A ka shanse reale që Serbia ta zbatojë kërcënimin e saj? Në planin teorik dhe emotiv shanset janë të mëdha, sepse në Beograd kemi një klasë dhe udhëheqje politike të dobët, e cila gjithë peshën e vet politike në elektorat dhe në popull e ka bazuar vetëm në kartën dhe lojën e nacionalizmit, njëlloj si Millosheviçi. Por e humbura do të jetë vetë Serbia. E para, sepse ajo nuk do të ndalojë dot procesin e pavarësimit të Kosovës, që është faza e fundit e mbylljes së krizës dhe e dezintegrimit të zgjatur dhe të dhimbshëm të ish-federatës komuniste jugosllave. Rusia nuk mund të rrijë të dobësojë peshën e vet ndërkombëtare, duke hedhur poshtë çdo ditë rezolutat e propozuara nga perëndimi, dhe as perëndimi nuk mund të presë pafundësisht derisa të marrë edhe votën ruse në Këshillin e Sigurimit.
Projekti i perëndimit që Solana shpalli më 17 korrik, për ta tërhequr çështjen e pavarësisë së Kosovës nga KS i OKB-së dhe për ta kaluar në forume të tjera, ku Rusia nuk ka veto, duhet të jetë një paralajmërim i qartë për Moskën se telenovelës së saj proserbe po i vjen fundi. E dyta, në eventualitetin e prerjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetet e tjera, Serbia do të hyjë në një vetizolim të plotë, që do të pengojë jo vetëm integrimin, por edhe zhvillimin e saj. Sepse shtetet e rajonit janë anëtare të Bashkimit Europian dhe të NATO-s, ku Serbia ka deklaruar se aspiron të hyjë, se shtetet e rajonit janë anëtare të Partneritetit për Paqe dhe të Procesit të Stabilizim-Asociimit, ku Serbia është pjesëmarrëse. Se shtetet e rajonit janë anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, ku Serbia është anëtare. Vështirë të dalë një lolofgari që mendon se Serbia do të fitojë duke e përjashtuar veten nga këto organizata e organizma.
Aq më pak perspektivë ka ky shantazh serb në drejtim të shteteve të mëdha demokratike të botës si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca etj, që janë për pavarësinë e Kosovës. Sado e trullosur nga nacionalizmi, jo të gjithë në udhëheqjen serbe mendojnë se Serbisë i mjafton vetëm Rusia, për të jetuar e përparuar dhe jo të gjithë në Beograd janë të bindur në vërtetësinë e maksimës së udhëheqësit të partisë më të madhe serbe, asaj Radikale, Nikoliç, i cili deklaroi në mes të parlamentit serb se Serbia më mirë të jetë provincë ruse, sesa anëtare e BE-së.
Shantazhi serb i prerjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetet që do të njohin pavarësinë e Kosovës, është pjesë dhe rezultat i mentaliteteve të vjetra bizantine dhe komuniste ballkanike, që bëhen çdo ditë e më absurde në kohërat moderne që jetojmë. Ai nuk duhet marrë vetëm në kuptimin e mirëfilltë e as duhet neglizhuar thjesht si një absurditet i radhës. Në këtë rast, absurditeti është shtetëror dhe promovuesi është një shtet, i cili ka treguar se është përpjekur shumë herë në histori t'i kundërvihet historisë, duke dëmtuar veten por edhe të tjerët. (balkanWeb)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment