Laze: Pesë lojtarë kombëtaresh tek Elbasani

Elbasani ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Dita e enjte, ashtu siç edhe ishte parashikuar, ka zbritur në terrenin e stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" Elbasani i ri i sezonit futbollistik 2007 2008. Natyrisht, ekipi i ditës së parë të stërvitjes ka qenë më pak se i përgjysmuar, një gjë normale, duke pasur parasysh se ndërtimi i plotë i ekipit kërkon ende kohë.

Gjithsesi, është për t'u theksuar fakti që stërvitja e parë e ekipit verdheblu është pritur me shumë kureshtje edhe nga ana e tifozerisë elbasanase. Rreth 300 fansa verdheblu kanë filluar të mbushin tribunën qëndrore të stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" që në orën 17.30, në pritje për të parë të rejat e para të merkatos së klubit verdheblu.

Dhe fansat elbasanas në fakt nuk kanë dalë duarbosh nga kjo vizitë, teksa, përveç Ahmatajt dhe Babajt, të zyrtarizuar pak ditë më parë, në terrenin e stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" kanë zbritur për herë të parë me fanellën verdheblu edhe dy blerjet e fundit.

Bëhet fjalë pikërisht për sulmuesin vlonjat Fjodor Xhafa dhe durrsakun Edlir Tetova. Të dy këta futbollistë kanë firmosur përfundimisht kontratën e tyre me klubin verdheblu, gjë të cilën e konfirmon për gazetën tonë vetë presidenti i Elbasanit, Arben Laze. "Përsa i takon Fjodor Xhafës dhe Edlir Tetovës, mund të konfirmoj se ata janë zyrtarisht pjesë e Elbasanit për sezonin e ri.

Besoj se nuk kemi gabuar në goditjet që kemi bërë, duke pasuer parasysh se F.Xhafaj tashmë njihet për vlerat që ka, ndërkohë që Tetova është një lojtar, të cilin e njohim vetë, pasi ka qënë pjesë e skuadrës sonë kampione,- shprehet numri një i presidencës së Elbasanit, i cili premton se do ta dyfishojë numrin e blerjeve në shërbim të ndërtimit të një ekipi pretendent, ashtu siç ka deklaruar më parë.

- Deri tani kemi bërë katër blerje, por dua t'ju siguroj se numri i atyre lojtarëve që do të afrohen tek Elbasani në vijim të merkatos do të dyfishohet. Askush të mos mendojë se Elbasani do të mbetet me kaq, madje dua të kundërshtoj ato zëra, të cilat e shohin Elbasanin shumë prapa në merkato. Besoj se shumë shpejt trajneri Krenar Alimehmeti do të ketë në dispozicion rreth 20 apo 30 lojtarë, që më pas do të seleksionohen.

Për momentin nuk dua të bëj publikë emra konkretë lojtarësh, por mund të them që shumë shpejt do të firmosin disa lojtarë të njohur nga kampionati shqiptar. Gjithashtu, për herë të parë po deklaroj për gazetën tuaj se shumë shpejt do të afrohen edhe pesë futbollistë, të cilët luajnë me kombëtare të ndryshe të huaja. Ju siguroj se do të ndërtojmë sërish një Elbasan të denjë për titull."

Sporti Shqiptar

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors