Albanian Times - Sport: "Rijat Shala: “Ëndrra u bë realitet”"

Kaljari është kthyer në dashurinë e re të shqiptarëve. Ndërsa nuk ka ditë që trajneri Marko Xhampaolo të mos lëshojë deklarata “dashurie” për sulmuesin e Kievos, Erjon Bogdani, si zëvendësues të David Suazos, një tjetër shqiptar, por me pasaportë zvicerane, Rijat Shala, është rekrutuar zyrtarisht si blerja më e re e skuadrës ishullore të Sardenjës, Kaljarit të Serisë A.

Shqiptari i nëntë

Rijat Shala është futbollisti i nëntë shqiptar që do të luajë në Serinë A. Pas Naim Kryeziut (AS Roma), Riza Lushtës (Juventus), Loro Boriçit (Lacio, Roma), Igli Tares (Breshia, Bolonja, Lacio), Erjon Bogdanit (Rexhina, Siena), Henri Shibës (Rexhina) Ervin Skela (Askoli), Samir Ujkani (nënshkroi gjatë kësaj vere me Palermon), Rijat Shala do të jetë kuqeziu i radhës që do të aktivizohet në elitën e futbollit italian. “Ëndrra është shndërruar në realitet”, - pohon 23-vjeçari i lindur në Prizren gjatë një interviste të dhënë për sitin zyrtar të klubit, me rastin e prezantimit si kuqeblu. “Jam shumë i lumtur dhe së pari dëshiroj të falënderoj Kaljarin, shoqërinë që besoi te mua dhe më dha mundësinë të vij dhe të luaj në Serinë A. Mund të them më të vërtetë se sot për mua ëndrra u kthye në realitet”.

“Luaj dhe portier”

“E rëndësishme është të luaj, trajneri mund të më vendosë edhe në portë, nëse dëshiron. Po bëj shaka, nga shokët e rinj të skuadrës njoh mirë Maruoçon, i cili ishte shoku im te Foxha. Jam shumë mik me Valon Behramin e Lacios, e njoh prej vitesh dhe më pëlqen të luaj me të në finalet e Kampionatit Europian verën e ardhshme me bluzën e Zvicrës. Unë besoj me të vërtetë dhe shpresoj se ky sezon do të më japë mundësinë për t’u vënë në evidencë, e di se varet nga mua dhe nga kontributi që do të jem në gjendje të jap për Kaljarin, që shpresoj se do të jetë i rëndësishëm”. Shumë entuziazëm për futbollistin e ri, i cili mezi pret debutimin e tij në “Sant’ Elia”.

Kaljari e përfundoi sezonin 2006-2007 në vendin e 16, një kampionat për t’u harruar dhe përveç largimit të bujshëm të Suazos te Interi, janë larguar edhe D’Agostino, Gobi, Pele, Kaçia, por presidenti Masimo Çelino është kujdesur për një numër të madh blerjesh të reja: Matri (Rimini), Parola (Sampdoria), Fini (Askoli) janë disa nga emrat. Para disa ditësh Kaljari arriti të ketë në bashkëpronësi dhe me Interin, sulmuesin e Trevizos dhe të Kombëtares U-21 italiane, Roberto Akuafreska, autorin i një goli kundër Shpresave të Artan Bushatit me fitoren 4-1 të Italisë U-21 me Shqipërinë, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2009-s për U-21.

Arritje e madhe

Kaljari, pa dyshim, mbetet një arritje e madhe për Shalën, pasi bëhet fjalë për një skuadër të njohur të Serisë A (kampione e Italisë në sezonin 1969-1970), e themeluar në vitin 1920 dhe ku më parë kanë luajtur emra të tillë si Xhixhi Riva, Xhanfranko Zola, Xhuzepe Pankaro, Kristiano Zaneti e deri te David Suazo. Dëshira e ish-lojtarit të Foxhias të Serisë C është e madhe. Shala (179 cm) është një mesfushori i kompletuar që mund të mbulojë disa role, si organizator apo si mesfushor i djathtë, dhe kosovari shprehet i gatshëm.

Shala sezonin e kaluar luajti për fanellën e Foxhas, ku aktivizua në 17 ndeshje. Shala është rritur në Prizren si futbollist deri në moshën 20-vjeçare, ku dhe luajti për tre sezone për FK Prizrenin, përpara se të transferohej në Zvicër te Lugano, Shafhausen e për të mbërritur më pas te skuadra e njohur Grasshopers në vitin 2003. Më pas erdhi transferimi në Itali te Salernitana (2004), për të kaluar dy vite me Kampanian dhe për ta vazhduar më pas te Foxha, nga ku erdhi dhe transferimi përfundimtar me titull të plotë kartoni te Kaljari.

Shqiptarët që kanë luajtur në Serinë A

1) Naim Kryeziu (1941-1942, Roma)
2) Riza Lushta (1941-1942 Juventus)
3) Loro Boriçi (1948-1949 Lacio, 1949-1950 Roma)
4) Igli Tare (2000-2003 Breshia, 2003-2005 Bolonja, 20005-2007 Lacio)
5) Erjon Bogdani (2000-2005 Rexhina, 2005-2006 Siena, 2006-2007 Kievo)
6) Henri Shiba (2005-2006 Rexhina)
7) Ervin Skela (2006-2007 Askoli)
8) Samir Ujkani (2007-2012 Palermo)
9) Rijat Shala (2007-, Kaljari)

(Albania-sport)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors