Albanian Times: Sport - Boks - "Brewster dorëzohet para Klitschkos"

Ukrainasi Vladimir Klitschko ka mbrojtur titullin në kategorinë e rëndë - IBF, me nokaut teknik, pas gjashtë rundeve këmbëngulëse ndaj kundërshtarit, Lamon Brewster.

Kitschko, i cili fitoi secilin rund sipas vlerësimit të gjyqtarëve, dominoi që nga fillimi dhe e goditi Brewsterin edhe me dy kombinime të fuqishme, e majtë - e djathtë. Ekipi i amerikanit, i vetëdijshëm se boksieri i tyre kishte marrë shumë goditje të forta, sinjalizoi gjyqtarin ta ndërpriste luftën.

Fitorja e ukrainasit (1.98 të gjatë) para 20 mijë adhuruesve, e çoi numrin e fitoreve të tij në shifrën rekorde 49, përkundrejt 3 humbjeve. Megjithatë më e rëndësishme për të ishte hakmarrja ndaj Brewsterit, i cili i kishte shkaktuar humbje befasuese në vitin 2004.

“Kam ëndërruar për këtë betejë tri vite me radhë”, ka thënë Klitschko në konferencën për media. “Kjo ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për mua. Sot, vetëbesimi im ishte aq i madh, sa thjesht nuk mund të humbja”.

Brewster ishte personi i fundit që e kishte mposhtur Klitschkon, por u bë e qartë qysh në fillim të meçit se, kësaj radhe ai nuk ishte i gatshëm ta përsëriste suksesin e tij.

“Trajneri im (Buddy McGirt) më tha pas pesë rundeve se po pranoj shumë goditje dhe mendonte të ndërpriste betejën”, ka sqaruar Brewster. “Dhashë më të mirën nga vetja, por Vladimir ishte në formë dhe Buddy ndërpreu përballjen”.

Brewster, pasi kishte fituar kundër Klitschovit, në vitin 2004 - më 28 shtator të vitit 2005 kishte nokautuar në rundin e nëntë edhe boksierin shqiptar Luan Krasniqi - megjithëse ky i fundit ishte në avantazh nga pikët e gjyqtarëve gjatë gjithë rundeve të para. Me fitoren ndaj shqiptarit, Brewster kishte mbrojtur titullin e kategorisë së rëndë në WBO, të cilin e synonte Luani.

Luan Krasniqi do të ndeshet gjatë vikendit të ardhshëm (e shtunë, 14 korrik) me kundërshtarin Tony Thompson, në Color Line Arena në Hamburg. Krasniqi gjendet në vendin e katërt në listën e WBO, derisa Thompson radhitet i pesti. Fituesit nga ky meç do t’i jepet mundësia për të luftuar për titull bote.


(Albania-Sport)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors