Albanian Times: "Irsa Demneri, Miss Shqipëria 2007 - Miss Albania 2007

Nuk mjaftonte një kurorë e “Miss Tirana”, as ajo e “Rin Fest”. Pretendimet e 17-vjeçares nga Tirana ishin më të mëdha se kaq. Një konkurrim shtetëror do e plotësonte më shumë CV e modeles, apo vajzës që është mësuar tashmë me pasarelat, por edhe do ta lumturonte. Në fakt, tanimë është më shumë se e lumtur. Nga një konkurrim rrëmbeu tre çmime. Irsa Demneri, e shpallur mbrëmjen e së shtunës në kalanë e Elbasanit "Miss Shqipëria 2007", është njëkohësisht edhe fituese e "Miss Buzeqeshja" dhe "Miss Publiku".


Studion në vitin e tretë të shkollës "Sami Frashëri", dhe ëndrra e saj është ekonomiku. Një ekonomiste e zonja dhe një miss, nuk mund të kenë ndonjë tjetër lidhje për Demnerin, përveç një vajzë të kompletuar siç është ajo vetë. "Prirja ime më e madhe është matematika dhe për këtë shpresoj të bëhem ekonomiste e zonja këtu në Shqipëri, shprehet Demneri, ndonëse hobi ka pasarelat, ku dhe ka marrë pjesë si modele në shumë sfilata të realizuara këto kohë nga stilistët e njohur shqiptarë. Por Irsa nuk e sheh veten larg Shqipërisë. "Dua të studioj në Tiranë, më pëlqen të rri pranë njerëzve të mi, këtu ndjej më shumë ngrohtësi, më shumë vlerësim, të cilin nuk mund ta kem jashtë saj, dhe nuk mund të ma japë dikush tjetër", shton ajo.

Por si u bë pjesë e këtij evenimenti dhe si i priti tre çmimet? "Nga "Miss Tirana" kisha qejf të merrja pjesë në një garë më të rëndësishme se sa ai. Konkurrova, u përzgjodha mes 31 konkurrenteve dhe sot ndihem më e emocionuar se asnjëherë tjetër. Por e shtuna ka qenë një natë e paharrueshme dhe e bukur e jetës sime, ato emocione s’i kam ndjerë kurrë më parë. Nuk e prisja atë çmim dhe jo më tre çmime", tregon për gazetën 17-vjeçarja, e cila do të përfaqësojë kësisoj vitin e ardhshëm Shqipërinë në "Miss Globe".

Ndërsa tani mban mbi krye kurorën e më të bukurës, nga e ardhmja shpreson shkollën. Eshtë qëllimi i saj kryesor. "Pas missit, pres shkollën dhe kjo është gjëja e parë me më shumë vlerë për mua. Më pas gjërat në boten e spektaklit ia lë në dorë Zotit, çfarë të ketë rezervuar për mua le të më japë", shton bukuroshja, e cila më shumë se kaq e konsideron veten me fat. "Pasiguria ime për fitore ishte e barabartë me atë të vajzave të tjera. Edhe vetë regjisori Petri Bozo e ka thënë gjithmonë që nga dita e parë deri në ditën e fundit, nga 01-31 vajzat kanë qenë të barabarta. Dhe unë nuk e ndjeja veten fituese", thotë 17-vjeçarja Demneri, për të cilën brenda një nate kanë ndryshuar shumë gjëra.

"Dje isha një pjesëmarrëse në "Miss Shqipëria", tani mbaj kurorën dhe dy çmime të rëndësishme. Eshtë shumë ngritje përgjegjësie për mua", thotë ajo, teksa kujton urimin e parë që familja i ka dhënë, mbrëmjen e së shtunës në kalanë e Elbasanit."Urimin e parë e mora nga familja ime, nga stafi i gjithë i organizatorëve të këtij spektakli, nga kushërinjtë e mi që ndodheshin në spektakël, shoqëria dhe nga publiku. Ndërsa sot ka qenë një ditë me shumë telefonata, urime dhe gjithashtu më e veçantë ka qenë se kam marrë telefonata nga gazetarë për të dalë në kopertinat e revistave", tregon Irsa, vajza e vogël e familjes Demneri, e cila ka një baba inxhinier, një nënë mësuese dhe një motër katër vjet më të madhe. Eshtë lindur në 21 janar 1990.


E pare te “Miss Shqiperia”

“Miss Shqiperia 2007” eshte shpallur 17-vjecarja Irsa Demneri, e cila mban edhe kuroren e “Miss Tirana”. Spektakli qe mblodhi vajza nga e gjithe Shqiperia u organizua ne kalane “Real Skampis”, ne Elbasan.

I zhdukur nga qarkullimi prej kohesh, ish-misteri i pare shqiptar, Olti Xhezo, rishfaqet ne spektaklin konkurrent te “Miss dhe Mr. Albania”, ku ai ka fituar kurore si mashkulli me i bukur i Shqiperise. Por, duket se bukurine e Xhezos kohet e fundit kane fatin ta shijojne vetem te huajat, si nje italiane me te cilen ai kishte ardhur i shoqeruar per te pare “Miss Shqiperia”.

Vajza e deputetit te LSI-se, Nikollaq Neranxi, ka fituar cmimin “Miss Turizmi”. Tani, kur te dale te promovoje turizmin shqiptar ne bote, ka mundesi qe Kristina Neranxi te hedhe edhe nja dy fjale per frutat e thata qe tregton i ati.

Shume e kritikuam Maria Serifovic per fitoren ne “Eurovizion”. Madje e akuzuam se kendonte nje kenge te vjedhur nga ne (c’u be me ate histori valle?). Por ne fund te fundit, kengetarja serbe ishte e vetmja qe kendoi live ne skenen e “Miss Shqiperise”, ndersa te tjeret erdhen si zakonisht me CD-ne ne xhep.

Kortezi e Korrieri



Kalaja 2000-vjeçare kurorëzon më të bukurën e Shqipërisë

Spektakli është shfaqur drejtpërdrejt në valët e Televizionit “Vizion Plus”

Atmosfera e konkursit të bukurisë “Miss Shqipëria 2007” zhvilluar në Elbasan

Elis Memelli
Siç ndodh çdo vit në të njëjtën kohë, në muajin qershor është bërë dhe sivjet kurorëzimi i më të bukurës së vendit, “Miss Shqipëria 2007”. Dhe kjo nuk ndodh rastësisht, pasi gjithçka mbi organizimin dhe kohën e këtij organizimi është e përcaktuar me kujdes nga “Deliart Association”.

Kjo për të treguar korrektësi dhe seriozitet në kurorëzimin e më të bukurës së vendit. Dje në mbrëmje është zgjedhur “Miss Shqipëria” në një spektakël të mirorganizuar nga “Deliart Association”, në bashkëpunim me Televizionin “Vizion Plus”. Këtë radhë stacioni që do të përzgjedhë më të bukurën e Shqipërisë ka qenë qyteti i Elbasanit, me kalanë 2000-vjeçare. Një kala me një ndërtim romak, ngritur në fillim të shek. III Para Krishtit, si një kështjellë ushtarake për të siguruar kontrollin e rrugës “Egnatia”, në atë kohë një arterie e rëndësishme e Perandorisë Romake.

Skenografia e mrekullueshme ishte ideuar nga studio arkitekturore “Rebus”, së cilës pa dyshim nuk kishte si t’i mungonte një ndriçim perfekt i siguruar nga Fest Servis e mjeshtrit Lul Tusha. Prezantimi i spektaklit të bukurisë është bërë nga Alert Celoaliaj. Veshjet e vajzave ishin stiluar nga stilistja Ema Savahl (Koja), ndërsa koreografia u përgatit nga Kozeta Bakiu. Natyrisht që në gjithçka nuk mund të mos fshihej nga pas dora e mjeshtrit Petri Bozo, i cili asistohet nga Klara Bici dhe Egi, vajza e tij e vogël. Përzgjedhja e 30 bukurosheve nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi ashtu siç tregon vetë regjisori Bozo, pjesëmarrja në seleksionimet ishte shumë e madhe.

Jo pak, por 260 vajza janë përpjekur të hyjnë në konkurrim për t’u shpallur “Miss Shqipëria”. Përveç prezantimit të bukurisë, vajzat i janë nënshtruar edhe testit të inteligjencës përgatitur nga organizatorët. Fillimisht ishin përzgjedhur 31 vajza, por njëra prej tyre u përjashtua nga spektakli dy ditë para zhvillimit të tij, sepse kishte thyer rregullat e vendosura nga organizatorët.

Gjeografia e vendeve nga kanë ardhur vajzat shtrihej që nga Tropoja, Kukësi, Laçi, Kruja, Gramshi, Përmeti deri te diaspora e Greqisë, Itali, SHBA, Gjakova, Prishtina dhe Mali i Zi. Spektakli live ka nisur mbrëmjen e djeshme në orën 21:00 dhe është transmetuar drejtpërdrejt ekskluzivisht nga Televizioni “Vizion Plus”.

Vajzat fillimisht kanë dalë në tri sfilata të ndryshme dhe më pas juria ka përzgjedhur 10 konkurrentet, të cilat vazhduan garën më tej për kurorëzimin e më të bukurës.
Juria përbëhej nga 12 anëtarë, ndërsa çmimet që janë dhënë krahas “Miss Shqipërisë” ishin shoqëruesja e parë dhe e dytë e missit, Miss Kinemaja, Miss Buzëqeshja, Miss Fotozhenia etj. Bukuroshet shqiptare që kanë fituar këto çmime do të marrin pjesë në një të ardhme jo të largët në konkurset ndërkombëtare të bukurisë që zhvillohen në Greqi, Çeki, Kinë etj.

Po kështu, për fitueset janë edhe dy bursa studimi në Universitetin Europian të Tiranës. Publiku, nga shtëpia, nëpërmjet televotimit ka zgjedhur një tjetër miss në këtë konkurs. Atmosferën e spektaklit e kanë ngrohur më tepër edhe performancat e këngëtarëve Aleksandër Gjoka, Arbërie Hadërgjonaj, Mira Bregu e Redon Makashi. Gjithashtu, baleti ka qenë një tjetër element që nuk mund t’i mungonte shfaqjes të zhvilluar në kalanë antike të Elbasanit.

(Albasoul)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors